Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka marrë një surprizë të veçantë me simbolikë shqiptare gjatë ceremonisë së martesës me partnerin e saj Callum Turner, e zhvilluar në Siçili të Italisë.
Dasma madhështore, e organizuar për tre ditë në ambientet elegante të Villa Valguarnera, pranë Palermos, mblodhi familjarë, miq dhe figura të njohura të artit.
Një nga momentet më të veçanta të festimeve ishte gjesti i komunitetit arbëresh të Siçilisë, i cili zgjodhi ta nderojë këngëtaren shqiptare me një dhuratë simbolike.
Përfaqësues nga Piana degli Albanesi udhëtuan drejt ceremonisë, ku një grup prej dhjetë vajzash, të veshura me kostume tradicionale arbëreshe, interpretuan këngë të vjetra që kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare ndër shekuj.
Por surpriza nuk u ndal vetëm te muzika. Artizanët e komunitetit i dhuruan çiftit një kujtim të veçantë kulturor: vathët tradicionalë “Panieri”, të punuar me dorë dhe të konsideruar një nga simbolet më të njohura të trashëgimisë arbëreshe.
Ky gjest është interpretuar si një urim i veçantë për çiftin, por edhe si një mënyrë për të treguar lidhjen e fortë që komuniteti arbëresh vazhdon të ruajë me origjinën shqiptare.
Një moment që solli në qendër të vëmendjes jo vetëm martesën e Dua Lipës, por edhe kulturën dhe traditat shqiptare të ruajtura larg vendit.




