Rikthimi i vëllezërve Veshaj me programin e ri “late night show” në X-Media ka sjellë menjëherë lajme të bujshme nga jeta personale e Donald Veshaj.
Për herë të parë pas shumë kohësh, ai ka folur hapur për raportin me Bora Zemani, duke konfirmuar atë që fansat prisnin: çifti po planifikon një dasmë këtë verë!
Megjithatë, jo gjithçka është kaq e thjeshtë. Donaldi tregoi me humor se mes tyre ka një mosmarrëveshje të vogël për mënyrën si duhet organizuar ceremonia. Ndërsa Bora preferon një event të madh dhe madhështor, ai është më shumë për një festë intime, vetëm me njerëzit më të afërt.
“Ne po mendojmë për një martesë, por Bora e do të madhe, ndërsa unë diçka të vogël, me 20-25 veta. Jemi ende duke vendosur,” u shpreh ai.
Përveç dasmës, nuk munguan as pyetjet për një beb në ardhje. Donaldi pranoi se të dy e dëshirojnë shumë të bëhen prindër, por ai preferon që gjithçka të vijë hap pas hapi.
“E duam shumë një fëmijë, por unë do doja që të ndodhte pas dasmës,” tha ai, duke lënë të kuptohet se zgjerimi i familjes është pjesë e planeve të afërta.
Duket se për Donaldin dhe Borën, kjo verë mund të sjellë jo vetëm një dasmë të shumëpritur, por edhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tyre.




