Mbrëmja e djeshme në “Ferma VIP” është shoqëruar me diskutime të shumta dhe konfuzion lidhur me procesin e përzgjedhjes së finalistëve.
Gjithçka nisi nga një provë simbolike e organizuar nga produksioni, ku një kafshë vendoste në mënyrë të rastësishme dy konkurrentët që do të shkonin në televotim kokë më kokë.
Sipas pamjeve të transmetuara live, delja e përdorur në provë fillimisht iu afrua Bujakës, ndërsa më pas kaloi pranë Visit.
Megjithatë, gjatë komunikimit direkt me fermën, moderatorja Arbana Osmani njoftoi se dy të përzgjedhurit zyrtarë ishin Visi dhe Iliri, një deklaratë që shkaktoi menjëherë habi dhe konfuzion si brenda shtëpisë, ashtu edhe tek publiku.
Banorët kundërshtuan vendimin, duke theksuar se kafsha nuk ishte ndalur vetëm te një konkurrent, por kishte kaluar edhe pranë Bujakës, madje sipas tyre edhe pranë Sonit, çka ngriti pikëpyetje mbi interpretimin e provës.
Për shkak të debatit dhe kërkesës së banorëve për rishikim, produksioni u detyrua të ndërpriste përkohësisht programin dhe të verifikonte pamjet filmike në kohë reale.
Pas rishikimit të materialit, u konstatua një pasaktësi në njoftimin fillestar, dhe u vendos ndryshimi i formulës së televotimit, duke çuar në garë tre banorë: Bujaka, Visi dhe Iliri.
Ky zhvillim i papritur është komentuar gjerësisht edhe në rrjetet sociale, duke ndezur debat mes ndjekësve të formatit mbi mënyrën e përzgjedhjes së finalistëve.




