DJ Bujaka, një prej personazheve më të komentuar të “Ferma VIP 3”, ka rrëfyer pa filtra përvojën e tij në reality show, marrëdhëniet me ish-fermerët dhe jetën pas përfundimit të formatit.
Në një intervistë për revistën “Bordo”, Bujaka ka treguar se pjesëmarrja në “Ferma VIP” i dha mundësinë të shfaqej para publikut ashtu siç është, ndërsa reagimet pas daljes nga spektakli kanë qenë kryesisht pozitive.
Ai veçoi veçanërisht mbështetjen që ka marrë nga publiku familjar.
“Kam marrë shumë komente sidomos nga nënat dhe gjyshet, por edhe nga shumë baballarë që më ndalin në rrugë e më thonë: ‘Kam votuar për ty, je njeri i drejtë’”, u shpreh ai.
Një nga temat më interesante të intervistës ishte raporti me Mimoza Ahmetin, fituesen e këtij edicioni. Dyshja pati një krisje gjatë ditëve të fundit në fermë, por duket se gjithçka tashmë është lënë pas.
“Krisja u harrua. Unë dhe Moza jemi njerëz të rritur dhe ne i falim njerëzit”, deklaroi Bujaka, duke konfirmuar se miqësia mes tyre vazhdon edhe jashtë “Ferma VIP”.
Madje, marrëdhënia e tyre është kthyer edhe në një bashkëpunim muzikor. Bujaka dhe Moza kanë përfunduar videoklipin e këngës së përbashkët “Lule Mimoza”, e cila pritet të publikohet së shpejti.
Bujaka tregoi se projekti muzikor ishte përgatitur prej rreth dy vitesh, ndërsa bashkëpunimi me Mozën u konkretizua pas eksperiencës së tyre në reality show.
I pyetur se kush ishte “aktori më i mirë” në fermë, përgjigjja e tij ishte pikërisht Moza.
Por më pikant ishte reagimi i tij kur u pyet nëse ka ndonjë person që duhet t’i kërkojë falje pas përfundimit të spektaklit.
“Besoj se falje duhet të më kërkojë Iliri”, deklaroi Bujaka, duke iu referuar Ilir Shaqirit.
Megjithatë, DJ-i nuk preferoi të zbulonte më shumë rreth arsyeve që fshihen pas kësaj deklarate.
Ai pranoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në fermë kishte persona që, sipas tij, silleshin mirë në sy të tij, por nuk ishin po aq të sinqertë pas shpine. Pavarësisht kësaj, Bujaka zgjodhi të mos përmendte emra.
Sa i përket garës, Bujaka pranoi se gjatë rrugëtimit e kishte menduar edhe mundësinë e fitores. Trofeu nuk përfundoi në duart e tij, por ai e konsideron Çmimin e Publikut një prej vlerësimeve më të rëndësishme që mori nga kjo eksperiencë.
Pas përfundimit të “Ferma VIP”, angazhimet profesionale janë shtuar ndjeshëm për të. Koncertet dhe projektet e reja kanë bërë që koha me bashkëshorten dhe familjen të jetë më e kufizuar, megjithatë Bujaka thotë se po përpiqet ta shfrytëzojë këtë periudhë për të vijuar me karrierën e tij.
Ndërkohë, sa i përket një tjetër reality show, DJ-i nuk e përjashton rikthimin në një format të tillë. Por ka një kusht të qartë: programi duhet të ketë sfida dhe aktivitete. Një reality show i bazuar vetëm te debatet, sipas tij, nuk do t’i përshtatej karakterit të tij.




