Në një analizë që po qarkullon gjerësisht në rrjet, gazetarja dhe moderatorja Sonila Meço ka komentuar zhvillimet në Ferma VIP, duke vendosur në qendër figurën e Mimoza Ahmeti dhe mënyrën se si ajo perceptohet brenda formatit.
Në nisje të shkrimit të saj, Meço shprehet: “Fik dritat ‘Ferma’ në qershor. Moza fiton. Sponsorët qarkullojnë për tek ‘dramat’ e radhës. Loja mbaron.”
Më tej ajo ngre një pyetje që ka ndezur debat:
“Çfarë ndodh me ne që mbetemi në versionin e plotë të saj? Ne, variablat e çoroditur të lojës së madhe, që shahemi, pështyhemi, goditemi, gjakosemi e vritemi pa një finale?!”
Duke analizuar figurën e Mimozës, ajo shkruan:
“Moza ka hyrë në dekadën e shtatë të jetës. Pasi ka provuar shijen e dheut në taban, kurorat e lavdisë në qiellnajë.”
Sipas saj, ajo përfaqëson një stabilitet që nuk ndikohet lehtë nga dinamika e lojës:
“Moza në këtë strukturë të matufepsur shoqërore është konstante, një trup me densitet tjetër. Nuk përzihet me lëngun. Nuk e merr formën e enës. Edhe kur e fut në perimetrin e Fermës.”
Në vijim, Meço e përshkruan qetësinë e saj si një zgjedhje të vetëdijshme:
“Ajo qetësi e adhuruar e saj nuk është temperament, por përzgjedhje me vetëdije, sepse identitetin nuk e ka ndërtuar në raport me të tjerët, por kryesisht pavarësisht tyre.”
Duke analizuar konfliktin mes sistemit dhe individit, ajo shton:
“Një grua që ka krijuar, sidomos përmes letërsisë, nuk ka jetuar vetëm jetën e saj.” dhe se “Një strukturë e tillë psiqike nuk hyn lehtë në konflikt, sepse konflikti kërkon një lloj pasigurie për t’u ndezur.”
Në pjesën kritike të shkrimit, Meço shprehet:
“Ndaj mos ia qani hallin kur e bullizojnë ca këpujka. Po as mos u ngazëlleni kur e miklojnë me ca drone e rroba.”
Ajo e sheh këtë përplasje si pjesë të një sistemi më të madh:
“Kjo është kriza strukturore e formatit, sepse loja nuk është më hapësirë ku karakteret zhvillohen, por terren… ku karakteret shkërmoqen derisa të bëhen të njëtrajtshme.”
Në një moment reflektimi më të gjerë, ajo ngre pyetjen:
“Tani mendoni pakëz, nëse një program… e shkakton gjithë këtë indinjatë, po jeta, përditshmëria, që të masakron shëndet fizik e mendor a mund të përballohet me indinjatë, qoftë edhe virale?”
Në përfundim, Meço rikthen idenë kryesore të saj: “‘Ferma’ mbaron në qershor. Moza fiton… Realiteti ynë nuk mbaron kurrë.” dhe paralajmëron: “Problemi është se ajo që shfaqet në ekran, ekziston.”




