Moderatorja Kiara Tito ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, duke vendosur të mos heshtë më përballë komenteve fyese që merr në privat.
Së fundmi, Kiara ka bërë një veprim të papritur që ka ndezur menjëherë debat në rrjet: ajo publikoi mesazhet ofenduese të një ndjekëseje, së bashku me identitetin dhe fotografinë e profilit të saj në Instagram.
Gjithçka nisi pas disa reagimeve negative që moderatorja kishte marrë në lidhje me postime të ndryshme në rrjetet sociale. Në një rast, pasi Kiara kishte shpërndarë një thirrje për ndihmë për një person në nevojë, ndjekësja e kishte akuzuar se “i kishte hyrë vetja në qejf”.
Ndërsa në një tjetër postim, ku moderatorja tregonte se kishte marrë ndihmë për pastrimin e shtëpisë, e njëjta person e ofendoi rëndë duke e quajtur: “Baxhellë”
E revoltuar nga sulmet e vazhdueshme, Kiara Tito vendosi të reagojë publikisht, duke denoncuar fenomenin e bullizmit kibernetik dhe toksicitetin në rrjete sociale.
“Sa bukur flet zonja e nderuar, pasi futet për të sharë njerëz që as nuk i njeh. Dhe pastaj kujtojmë pse është bërë kaq toksik rrjeti…”, – shkroi moderatorja krahas pamjeve të publikuara.

Kiara Tito via Instagram Story
Reagimi i saj ka ndarë ndjekësit në dy kampe: disa e kanë mbështetur për mënyrën si vendosi të përballet me urrejtjen online, ndërsa të tjerë kanë kritikuar publikimin e identitetit të ndjekëses.




