Pas më shumë se dy dekadash në arrati, dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli janë vënë në pranga, duke i dhënë fund një historie të gjatë kërkimi nga drejtësia shqiptare.
Ata ishin shpallur në kërkim që prej fundviteve ’90 dhe në vitin 2001 ishin dënuar në mungesë nga Gjykata e Lushnjës me 32 vite burg në total për vrasjen e Rezar Metajt, një ngjarje e ndodhur në vitin 1999.
Sipas hetimeve, krimi ishte kryer për hakmarrje, pasi në vitin 1997 viktima kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, dhe nuk ishte arrestuar në atë kohë.
Pas ngjarjes, dy vëllezërit u larguan drejt Italisë, ku jetuan për vite me identitete të rreme, duke përdorur emrat Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, madje duke siguruar edhe dokumente qëndrimi.
Zbulimi i vendndodhjes së tyre erdhi pas një informacioni nga autoritetet italiane për disa persona me identitete të dyshimta që jetonin në të njëjtën zonë me familjarë të tyre.
Për identifikimin e tyre, autoritetet shqiptare dhe Interpol përdorën metoda moderne, përfshirë teknologjinë e njohjes së fytyrës (facial recognition), duke krahasuar fotografitë e vjetra me ato të siguruara nga Italia.
Nga ky proces u konfirmua se personat që jetonin me identitete të tjera ishin pikërisht dy vëllezërit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, çka çoi në arrestimin e tyre pas 25 vitesh arrati.




