Tensionet në Big Brother VIP 5 janë përshkallëzuar ndjeshëm pas rikthimit të Rogertit si finalisti i katërt.
Ajo që pritej të ishte një javë më e qetë para finales, është kthyer në një seri përplasjesh të forta mes banorëve. Që në momentin e rikthimit në shtëpi pas duelimit me Brikenën, Rogerti ka hyrë në debate të ashpra me Selinën, Mateon dhe veçanërisht me Mirin.
Marrëdhënia mes Rogertit dhe Mirit, që dikur dukej miqësore, tashmë është thyer plotësisht. Vetë Miri ka pranuar se afrimiteti i tyre kishte qenë më shumë strategjik sesa i sinqertë.
Situata u tensionua edhe më shumë kur Rogerti i drejtoi një pyetje personale dhe provokuese lidhur me jetën bashkëshortore të Mirit, duke e vënë atë në një pozitë të vështirë. Miri iu përgjigj shkurt dhe prerë, duke mohuar çdo akuzë dhe duke mos pranuar të zgjerohej në këtë temë.
Debati vijoi me akuza dhe kundërakuza, ndërsa në diskutim u përfshi edhe Mateo, i cili ironizoi situatën me një koment thumbues për të dy.
Në fund, Miri mbrojti veten duke theksuar se e konsideron veten një person korrekt dhe me etikë në raport me femrat. Ky episod tregon se gara ka hyrë në një fazë ku provokimet personale dhe presioni psikologjik po bëhen gjithnjë e më të forta mes finalistëve.




