Pas finales së “Big Brother VIP Fan Club”, një tjetër përplasje ka vijuar jashtë ekranit, këtë herë mes Edisës Demollari dhe opinionistit Arjan Konomi.
Debati mes tyre nisi gjatë transmetimit, ku pati shkëmbime të forta verbale, por situata nuk u mbyll me kaq. Më pas, në rrjetet sociale, Edisa reagoi sërish me tone ironike dhe personale, duke e cilësuar Arjanin si “gay” në një postim të saj.
Kjo deklaratë shkaktoi menjëherë reagime dhe komente të shumta, ndërsa shumë prisnin përgjigjen e opinionistit.
I ftuar në “She’s On Air” në Top Albania Radio, Arjan Konomi zgjodhi një qasje të qetë dhe pa tension, duke mos e përshkallëzuar situatën:
“Nuk e di, nuk kam ndonjë eksperiencë me Edisën që t’i kem lënë këtë përshtypje, po mendimi i saj, le të mendojë çfarë të dojë. Nuk kam ndonjë synim ndaj Edisës që të mërzitem.”
Me këtë reagim, ai tregoi se nuk dëshiron të zgjerojë konfliktin, duke e lënë situatën të kalojë pa përshkallëzim të mëtejshëm.
Megjithatë, kjo përplasje ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje tensionet mes ish-banorëve dhe opinionistëve, që duket se vazhdojnë edhe pas përfundimit të formatit.




