Pas arrestimit të këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, drejtori i kompanisë Onima, Erkand Shabani, ka dalë me reagimin e tij të parë publik për ngjarjen dramatike në zyrat e kompanisë. Përmes një postimi në Instagram, Shabani shpjegoi pse ka zgjedhur të heshtë deri tani, duke e konsideruar situatën si pjesë e një “fushate të gjerë mashtrimesh publike”.
Sipas Shabanit, veprimi i Gjestit ka qenë kriminal dhe ka shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe trauma psikologjike te punonjësit. “Stafi është terrorizuar nën tytën e revoles,” shkroi ai.

Drejtori sqaroi gjithashtu se këngëtari e ka pranuar fajësinë para organeve të drejtësisë dhe ka kërkuar falje ndaj të gjithë të dëmtuarve. Megjithatë, për të vërtetuar të gjithë faktet dhe për të ndalur spekulimet, Shabani ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për shtyp javën e ardhshme, ku do të publikohen videot e incidentit dhe raportet financiare që provojnë se kompania nuk i detyrohet asnjë cent artistit.

“Do t’i nxjerrim zbuluar ata që kanë shpresuar të përfitojnë financiarisht nga ONIMA me metoda kriminale,” theksoi ai, duke nënvizuar se publikimi i këtyre materialeve shërben edhe për thellimin e hetimeve.

Erkand Shabani via Instagram Story

Erkand Shabani via Instagram Story
Aktualisht, Gjesti ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh pas këtij incidenti, ndërsa data dhe vendi i konferencës pritet të njoftohen së shpejti.





