Dalin pamjet nga protesta në Tiranë, ngrihen akuza për përdorimin e një objekti të rrezikshëm ndaj studentëve (Foto)

Foto: Panorama
Foto: Panorama

Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale ka ngritur shqetësime për mjetet që dyshohet se janë përdorur nga efektivët e Policisë gjatë protestave të fundit studentore në Tiranë.

Azmer Duleviç ka publikuar në Instagram fotografinë e një kablloje të trashë, duke pretenduar se mjete të tilla po përdoren nga policia për të goditur protestuesit.

“Kjo është kriminale! Po si more përdorni kabllo alumini me S=70mm² si shkop gome! Po a e dini që forca goditëse e kësaj kablloje ta çan kafkën?”, shkruan ai në reagimin e tij.

Instagram Reel
DehGYuGMFdi

Në fotografinë e publikuar shfaqet një objekt i zi, me përçues metalikë të dukshëm në prerjen tërthore, i cili mbahet nga një person i veshur me dorezë.

Sipas pretendimit të Duleviçit, objekti është një kabllo elektrike me seksion 70 mm², e cila mund të shkaktojë dëmtime serioze nëse përdoret për të goditur njerëzit.

Megjithatë, nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nëse objekti në fotografi është përdorur nga policia gjatë protestave, apo nëse bëhet fjalë për mjetin e përshkruar në reagim.

Përdorimi i mjeteve të tilla, nëse konfirmohet, do të ngrinte pikëpyetje serioze mbi sigurinë e studentëve protestues dhe mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit.