Blerina Matraku rrëfehet pas skandalit me Adi Hilën: “I pagova 10 mijë euro për albumin”

“Goca dhe Gra” - Top Channel
“Goca dhe Gra” - Top Channel

Këngëtarja Blerina Matraku ka folur për herë të parë në një intervistë televizive për ngjarjet që e kanë vendosur në qendër të vëmendjes pas publikimit të videove private të lidhura me kompozitorin Adrian Hila.

E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, këngëtarja ndau versionin e saj për marrëdhënien me kompozitorin, duke u ndalur te bashkëpunimi profesional, pagesat për projektet muzikore dhe periudha e vështirë që po kalon pas publikimit të materialeve private.

Matraku tregoi se njohja e saj profesionale me Hilën kishte nisur në vitin 2007, kur e kishte kërkuar për disa muaj me radhë për të realizuar një album, e bindur nga emri dhe reputacioni që ai gëzonte në industrinë muzikore.

“Mund të them që kompozitorin Adi Hilën e kam kërkuar me muaj me radhë për të bashkëpunuar, në sajë të profesionalizmit dhe seriozitetit që ai kishte, për emrin që kishte si kompozitor, në vitin 2007”, rrëfeu ajo.

Një nga detajet që tërhoqi vëmendjen gjatë intervistës ishte shuma që, sipas Blerinës, kishte paguar për realizimin e albumit.

Këngëtarja deklaroi se kishte paguar 10 mijë euro, para që i kishte mbledhur përmes punës në dasma, evente dhe si stjuardesë. Ajo shtoi se, për shkak të shumës së konsiderueshme, ishte ndihmuar edhe nga miqtë e saj.

“I kërkova një album dhe e pagova me 10 mijë euro, për të cilat unë ato lekë i kam kursyer me eventet, dasmat dhe punë si stjuardesë që bëja në atë kohë. Më kanë ndihmuar edhe miq të mi, sepse ishin shumë lekë për mua”, u shpreh Matraku.

Instagram Reel
DeU6Tv9ko9V

Ajo këmbënguli se nuk ka asnjë borxh ndaj kompozitorit për këngët e saj, duke sqaruar se bashkëpunimi profesional mes tyre kishte zgjatur rreth katër vite.

“Nuk i kam absolutisht asnjë lloj borxhi ndaj këngëve të mia dhe as nuk më ka”, deklaroi këngëtarja.

Përtej detajeve mbi bashkëpunimin me Adrian Hilën, Matraku foli edhe për pasojat personale që, sipas saj, ka përjetuar pas publikimit të materialeve private.

Me fjalë të forta, ajo përshkroi gjendjen e saj emocionale dhe arsyen pse kishte vendosur të dilte publikisht për të treguar versionin e saj të ngjarjeve.

“Ke përballë vetes një person të vdekur që po frymon, e kryqëzuar. Sot jam këtu për të thënë të vërtetën time, për të mbajtur peshën që më takon dhe për të ndarë me ju një pjesë të historisë”, u shpreh ajo.

Këngëtarja pranoi se është e vetëdijshme për përgjegjësinë që mund të ketë për vendimet e saj personale, por kërkoi që publiku të mos nxitojë në përfundime vetëm duke u bazuar te materialet që janë shpërndarë në internet.

“Ne të gjithë bëjmë gabime, ose na ngelet një situatë në dorë që ngelem fajtor edhe nëse nuk jemi. Unë jam gati që të mos dalë asgjë tjetër dhe të mbroj vetëm timen, gjërat nuk janë ashtu siç duken”, deklaroi Matraku.

Sa i përket raportit personal me Adrian Hilën, ajo pranoi se e kishte të vështirë të fliste për këtë pjesë të historisë, duke kujtuar se njohja e tyre kishte nisur nga një bashkëpunim i gjatë profesional.

Rrëfimi vjen pas reagimeve të mëparshme të këngëtares në rrjetet sociale, ku ajo kishte kërkuar ndjesë për situatën e krijuar, kishte folur për ndikimin që ngjarja kishte pasur në familjen e saj dhe kishte bërë thirrje për ndërprerjen e shpërndarjes së videove private.

Intervista në “Goca dhe Gra” shënon një tjetër reagim publik të Blerinës, e cila këtë herë zgjodhi të ndante më shumë detaje për bashkëpunimin e saj me kompozitorin dhe për vështirësitë që po përjeton pas ngjarjeve të fundit.