Bebe Rexha ka emocionuar ndjekësit e saj duke publikuar disa fotografi të rralla nga arkivi familjar, të realizuara në ditën e dasmës së prindërve të saj shqiptarë, Flamur dhe Bukurije Rexha.
Artistja shqiptaro-amerikane i ndau imazhet në platformën X (ish-Twitter), duke i shoqëruar me përshkrimin e thjeshtë: “Dasma e prindërve të mi shqiptarë.”

Postimi u përhap me shpejtësi në rrjet, duke mbledhur mijëra reagime dhe komente. Megjithatë, vëmendjen më të madhe e tërhoqi shprehja serioze në fytyrën e nënës së këngëtares, e cila ngjalli kureshtjen e shumë ndjekësve ndërkombëtarë.
Shumë prej tyre pyetën nëse ajo ishte e lumtur në ditën e martesës, pa e ditur se kjo lidhet me një traditë të vjetër shqiptare. Sipas zakoneve të dikurshme, nusja shpesh qëndronte me një pamje të rezervuar, me sy të ulur dhe pa shfaqur shumë emocione, si shenjë modestie dhe respekti ndaj familjes dhe ceremonisë.
Kjo traditë, e ruajtur në shumë treva shqiptare, duket qartë edhe në fotografitë e dasmës së prindërve të Bebe Rexhës, duke i dhënë postimit një vlerë të veçantë kulturore.
Këngëtarja ka folur vazhdimisht me krenari për origjinën e saj shqiptare. Babai i saj, Flamur Rexha, është me prejardhje nga Dibra në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nëna, Bukurije Rexha, vjen nga Gostivari.
Me këtë publikim, Bebe Rexha jo vetëm që riktheu kujtime të veçanta familjare, por prezantoi para ndjekësve nga e gjithë bota edhe një pjesë të traditave shqiptare që vazhdojnë të ngjallin interes dhe diskutime.




